Site icon Telegrafi

Odat e rajonit diskutojnë për bashkëpunim ekonomik

Të martën në Vjenë, do të mbahet takimi i kryetarëve të Odave Ekonomike të rajonit në kuadër të përgatitjeve për takimin e Vjenës në nivelin më të lartë, i cili do të mbahet më 27 gusht dhe do t’i kushtohet Ballkanit Perëndimor.

Ky takim organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Serbisë dhe përkrahur nga Oda Ekonomike Evropiane dhe ajo e Austrisë. Në këtë takim kryetarët e odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për bashkëpunim ekonomik rajonal.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se në takim do të bisedohet lidhur me krijimin e kushteve sa më të mira për bashkëpunim në mes të subjekteve ekonomike në vendet e regjionit veç e veç dhe regjionit në tërësi dhe të arrihet deri te një plan aksional të aktiviteteve të përbashkëta të vendeve të regjionit.

Ai ka theksuar se ky takim do të jetë edhe një kontribut konkret procesit të Berlinit të udhëhequr nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në takim marrin pjesë kryetarët e Odave Ekonomike të rajonit si dhe përfaqësuesit Odës Ekonomike të Austrisë, Gjermanisë dhe në rolin e mysafirit të veçantë kryetari i Odës Ekonomike të Turqisë.

Përfaqësuesit e Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor marrin pjesë edhe në tubimin “Ofanziva investuese e UE-së“, të cilin e organizojnë Komisioni Evropian dhe Banka Investuese Evropiane.

Ky takim do të jetë rast i mirë që edhe përfaqësuesit e Odave Ekonomike të cilat nuk janë anëtare të UE-së të njihen me planet investuese evropiane dhe të vënë kontaktet të drejtpërdrejta me institucionet financiare te UE-së dhe afaristët nga Austria. /Telegrafi/

Exit mobile version