Site icon Telegrafi

Odat dhe sindikatat në kundërshtim rreth përzgjedhjes së zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike

Odat ekonomike këto ditë propozuan kandidatë për zëvendëskryeministër ekonomik në qeverinë e re. Qëndrimi i tyre është se biznesi duhet të jetë drejtpërdrejtë i përfshirë në politikën ekonomike dhe zhvillimore të shtetit dhe se duhet të ketë qasje në përgatitjen e ligjeve para se ato t’i kalojnë filtrat e qeverisë, e jo pasi të hyjnë në procedurën kuvendore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kundrejt odave, 13 shoqata të sindikatave nga vendi nuk e mbështesin idenë e tillë, madje edhe janë kundër. Mendojnë që Maqedonia të niset përmes rrugës së vërtetë të zhvillimit, duhet të ketë ndryshim në politikat ekonomike, por jo në drejtim, siç thonë, favorizim edhe më të madh të biznesit, por në të kundërtën, në ndërtimin e shoqërisë më inkluzive. Ata e kanë artikuluar angazhimin e tillë në të ashtuquajtur karta për solidaritet të sindikatave dhe të gjithë miqve të punonjësve në Maqedoni, njofton AIM.

Biznes Konfederata e Maqedonisë, megjithatë, është e mendimit se qeveria duhet të emërojë zëvendëskryeministër për çështje ekonomike sipas programit dhe planit personal, por edhe të krijojë mekanizma dhe rregulla për proces transparent dhe konsultativ me të gjitha grupet e interesuara të prekura.

Nebi Hoxha, Koço Angjushev dhe Aleksandar Zarkov janë kandidatët që i kanë propozuar odat ekonomike për zëvendëskryeministra për çështje ekonomike në qeverinë e re. Hoxha është kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Angjushev është nënkryetar i OEM, ndërsa Zarkov është drejtor ekzekutiv i LOE.

Sipas sindikatave, qeveria dhe bashkësia e biznesit kanë interesa të ndryshme të cilat ndonjëherë edhe përshtaten, por në pjesë të madhe të kohës janë në kundërshtim njëra me tjetrën. /Telegrafi/

Exit mobile version