Site icon Telegrafi

Oda Ekonomike: Me 100 milionë euro nga skemat sociale do të krijoheshin 20 mijë vende të punës

Rritja e buxhetit për arsim dhe shëndetësi mbetet inkurajues për Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), ndërsa shtimi i buxhetit për skema sociale po vlerësohet të jetë problematike.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi në një konferencë për media ka thënë se e mbështesin projektbuxhetin për vitin 2019 për rritjen e buxhetit për arsim dhe shëndetësi, që sipas tij, janë dy shtylla bazike të mirëqenies së qytetarëve.

Rukiqi tha se kjo rritje e buxhetit për arsim duhet të përcillet me reformë dhe me rritje të efikasitetit në të gjitha nivelet e sistemit arsimor.

“Te politikat arsimore neve na nevojitet një transformim për shkak se sistemi aktual arsimor nuk po e prodhon atë se çka po pritet në tregun e punës ose nuk po i adreson nevojat zhvillimore të vendit. Kemi një hendek të madh në mes të shkathtësive që kërkohet në tregun e punës dhe asaj çka ofron sistemi arsimor”, theksoi Rukiqi.

Ai theksoi se ajo që mbetet shqetësuese, jo vetëm me këtë buxhet, por në krejt buxhetet e pasluftës, rritja e skemave sociale në vazhdimësi. Sipas tij, prej 400 milionë euro të cilat janë ndarë për këto skema, vetëm me 100 milionë prej tyre do të mund të krijoheshin mbi 20 mijë vend të reja të punës.

“Duke i parë nevojat zhvillimore të vendit, ne do të donim të shihnim shumë më shumë skema zhvillimore, e shumë më pak skema sociale. Vetëm një indikator, nëse 100 milionë euro nga skema sociale që po e mbërrin diku 400 milionshin, do të investoheshin në krijimin e vendeve të punës, do t’i krijonim së paku 20 mijë vende pune. Pra, me vetëm 100 milionë, që realisht shkojnë në shumë raste edhe për kategori sociale që nuk mund të arsyetohen, të njëjtën e ka thënë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha ai. /KP /Telegrafi/

Exit mobile version