Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privatë, Arben Gashi, tha se ulja e tarifave të përmbarimit përveç që do të ketë ndikim në kualitetin e shërbimeve, do të ndikojë që edhe shumë punëtorë të largohen nga puna.
Ai theksoi se me tarifat e reja do të jetë e pamundur që nga përmbaruesit të mbahen në punë të gjithë punëtorët që i kanë aktualisht.
“Ulja e tarifave nuk do të ketë ndikim vetëm në kualitetin e shërbimeve tona, do të ketë ndikime të shumëllojshme dhe afatgjatë. Ndikimi i parë do të jetë në faktin që ne si përmbarues kemi në mënyrë të përgjithshme qindra të punësuar në zyrat tona dhe një pjesë e atyre njerëzve të punësuar në zyrat tona do të detyrohemi t’i largojmë nga puna sepse nuk mund t’i mbajmë, nuk mund t’i financojmë pagat, detyrimet e tjera që i kemi ndaj tyre”.
“Pra, brenda këtij viti pritet që me dhjetëra të punësuar nëpër zyrat e përmbaruesve të largohen nga puna dhe me dhjetëra familje do të krijohen si raste sociale. Fatkeqësia e parë dhe e drejtpërdrejtë është kjo. Tjetra, ne kemi punuar që gati tetë vite, më 12 maj bëhen tetë vite që kemi filluar punën si përmbarues, për këtë periudhë tetë vjeçare ne i kemi zgjidh rreth 70 mijë lëndë, vetëm brenda tetë viteve përmbaruesit në Kosovë kanë zgjidhur rreth 70 mijë lëndë”, tha ai, njofton betimiperdrejtesi.
Gasho shtoi se përmbarimi në Kosovë vlerësohet si rasti më i suksesshëm në Ballkanin Perëndimor, pikërisht për shkak të tarifave që kanë qenë stabile deri më tani. Mirëpo, sipas tij, gjithë ky sukses i arritur po rrënohet.