Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të shqyrtojë vendimin për ndërprerjen e kontratës për mbi 300 infermierë dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë që ishin punësuar me ndihmën e Bankës Botërore.
Përmes një komunikate për medie, ata thonë se zvogëlimi i numrin të infermierëve është lajm i keq.
“Atyre, nuk iu është vazhduar kontrata që e kishin valide deri më 21 qershor 2021, mirëpo sakrifica që kanë bërë këta infermierë gjatë kohës së pandemisë duhet të vlerësohet dhe atyre t’iu jepet një mundësi për të vazhduar angazhimet. OIK ka bërë kërkesa të vazhdueshme për shtimin e infermierëve në institucionet shëndetësore dhe zvogëlimi i numrit të infermierëve të punësuar në këto institucione paraqet lajm të keq”, thuhet në komunikatë.
“Andaj, si OIK kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë që të shqyrtojë mundësinë e vazhdimit të kontratave për këta infermierë”, thuhet tutje.
Rreth 360 infermierë që ishin punësuar për shkak të pandemisë kanë protestuar para Klinikës Infektive.
Atyre nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria vitin e kaluar kishte punësuar rreth 360 infermierë për stafin mjekësor të spitaleve dhe klinikave COVID.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë (MSH) përmes një komunikate për media thotë se nuk ka bërë ndërprerjen e kontratave të infermierëve, por se të njëjtat kanë përfunduar sipas kohëzgjatjes që kanë pasur.
MSh informon se kontratat e nënshkruara për stafin mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19 kanë përfunduar shumica, disa përfundojnë me datë 21 qershor 2021 dhe se të njëjtat nuk mund të zgjaten, për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim.
“Angazhimi i stafit mjekësor dhe operacional është bërë duke u thirrë në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës, i cili lejon angazhim të përkohshëm për nevoja urgjente”, njofton MSH, transmeton Telegrafi.
MSH thekson se ” situata aktuale epidemiologjike tani është shumë më e qetë dhe të dhënat nga raportet ditore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, tregojnë se numri i pacientëve me COVID-19, aktualisht në trajtim është shumë më i vogël se në kohën e angazhimit të këtij stafi, një pjesë e të cilit kanë qenë të angazhuar jo në shërbime mjekësore, por në administratën e MSh-së”. /Telegrafi/