Site icon Telegrafi

Oda e Avokatëve të Kosovës, bojkot të përgjithshëm në të gjitha institucionet gjyqësore (Video)

Avokatët e Kosovës bojkotuan të gjitha institucionet gjyqësore, pasi po kundërshtojnë një urdhëresë të Gjykatës Themelore të Prizrenit, por edhe rekomandimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me të cilin urdhërohet që sigurimi të mos lejojë futjen e avokatëve e palëve pa ftesa ose leje  nga gjyqtarët, ose nga Kryetari i gjykatës.

Një vendim të tillë, Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli e quan si të papranueshëm.

“Sa i përket kërkesës së avokatëve, kjo është një kërkesë e arsyeshme për faktin se janë cenuar të drejtat themelore të avokatëve për qasje në drejtësi. Mbi këtë bazë unë pres që Këshilli Gjyqësor të tërheq këtë vendim, por mund të diskutojmë për modalitetet dhe funksionimin më të mirë të avokatëve në raport me Këshillin Gjyqësor”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Osman Havolli.

Sipas tij, nëse nuk ka ndonjë reagim të Këshillit Gjyqësor bojkoti i avokatëve do të vazhdojë.

“Tani për tani është kjo gjendje siç është. Ne do të vazhdojmë në këtë mënyrë. Sigurisht se do të kemi edhe mbledhjen e rregullt të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës me 14 janar dhe do ta trajtojmë edhe këtë çështje”, deklaroi Havolli.

Ndërkaq, përmes një njoftimi nga KGJK, tregohet për arsyet e një ndalese të tillë.

“Masa mëton të vendosë një rend shtëpiak nëpër Gjykata, të rrisë sigurinë dhe parashikueshmërinë nëpër objektet e Gjykatave, dhe të pengojë komunikimin e paarsyeshëm ex-parte. Qasja e plotë, e çdokohshme dhe si rrjedhojë komunikimi i përhershëm dhe pa asnjë kufizim i avokatëve me gjyqtarët mund të ngrisë dyshime për diskutim nga ana e tyre të rasteve që avokatët përfaqësojnë dhe kësisoj dyshime rreth trajtimit nga ana e gjyqtarëve të të gjitha palëve në mënyrë të barabartë”, tha Havolli.

Bojkoti i avokatëve është respektuar nga të gjitha degët e Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version