Në konferencën e jashtëzakonshme të Odës së Afarizmit të Kosovës është kërkuar që urgjent të zbatohet e plotë Pakoja Emergjente Fiskale, rishikimi i buxhetit dhe miratimi i Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Hamdi Malushaj anëtar i bordit të OAK-ut, theksoi se fatkeqësisht sektori privat është më godituri nga COVID-19, duke shkaktuar mbylljen e shumë bizneseve dhe vendeve të punës.
Teksa theksoi se u bën pesë muaj që masat e Pakos Emergjente nuk po mund të zbatohen, masa këto të cilat vet institucionet e shtetit i kanë propozuar.
“Fatkeqësisht pandemia COVID-19 goditi më së shumti sektorin privat, i cili krijoi të ardhura për buxhetin e shtetit. Andaj, urgjent të miratohet Pakoja për Rimëkëmbjen ekonomike dhe rishikimi i buxhetit”, tha ai.
Diamant Elshani sekretar i bordit, ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi që sa më parë të miratohet Pakoja për Rimëkëmbje, pasi bizneset po falimentojnë.
“Na duhet mbështetja e shtetit, veçanërisht për Planin e Rimëkëmbjes, për ndryshe ne falimentuam”, tha Elshani.
Në fund, OAK thotë se situata mund të ekskalojë për shkak të krizës sociale si rrjedhojë e problemeve në sektorin privat si pasojë e pandemisë COVID-19. /Telegrafi/