Site icon Telegrafi

Oda e Afarizmit takon kryetarin e Pejës, flasin për problemet e sektorit privat

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka pritur në takim Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri me bashkëpunëtor, ku kanë diskutuar për problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset si pasojë e pandemisë COVID-19.

Temë kryesore e këtij takimi ishte njoftimi me ligjet bazë për të cilat tash e sa kohë Oda e Afarizmit të Kosovës ka dhënë rekomandimet e saja për plotësim ndryshimin e tyre, bazuar edhe në praktikat e vendeve në rajon dhe Evropë.

Pikat bazë të cilat u përmenden gjatë këtij takimi ishin udhëzimet e vitit 2010 të Ministrisë së Bujqësisë për kufizimin e dhënies së sipërfaqeve në shfrytëzim, Ligji i Punës dhe pushimi i lehonisë, Ligji për tregti të brendshme, Ligji për Bujqësi, Ligji i Minierave dhe Mineraleve, Ligji për Investime Strategjike, Ligji mbi TVSH-në. Po ashtu, u diskutua edhe kërkesa për uljen e TVSH-së në turizëm dhe ushqime në 5 për qind ashtu siç kanë bërë vendet e rajonit, krijimi i ofertave për bizneset si dhe ndryshimi i Ligjit për Shoqëritë Tregtare.

Për secilën nga pikat e lartpërmendura kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi, dha sqarime shtesë. Duke filluar nga udhëzimet administrative të Ministrisë së Bujqësisë që nga viti 2010 të cilat kanë penalizuar jashtëzakonisht shumë investitorët.

Tutje, Krasniqi ka dhënë sqarimet se Ligji i Punës i është në fuqi parasheh sanksione për punëdhënësit në rast të largimit të punëtorit nga puna pa paralajmërim ndërsa e njëjta nuk parashihet për vetë punëmarrësin. Ndërsa, kur bëhet fjalë për pagesën e pushimit të lehonisë OAK, ka propozuar që kjo barrë të merret përsipër nga shteti dhe jo biznesi siҫ është e rregulluar me ligjin në fuqi.

Kur përmendet Ligji i Punës dhe sanksionet, sekretari i bordit Diamant Elshani ka thënë se një problem i madh në këtë rast paraqitet kur kemi të bëjmë me pozita më të larta hierarkike, si shembull merret prodhimi.

Ndërsa, sa i përket Ligjit për Tregti të Brendshme bazuar në praktikat e deritanishme nënkuptohet se nuk është duke u bërë asnjë analizë e tregut para hapjes së bizneseve. E kur flasim për Ligjin për Bujqësi OAK, e sheh të rrugës që të subvencionohet tre apo katër produkte strategjike, por që ato të paktën të jenë efikase.

Kurse, lidhur me Ligjin për Miniera dhe Minerale, kërkesë e OAK-së është krijimi i lehtësirave për këtë sektor duke parë potencialin që ka.

Gjatë takimit, nënkryetari Arsim Selmonmusaj ka përmendur edhe problemet të cilat i’u janë shfaqur bizneseve lidhur me produktet me bazë shtazore dhe pamundësinë e eksportit të tyre jashtë vendit.

Lidhur me të gjitha këto diskutime të cilat u ngritën gjatë këtij takimi, kryetari Muhaxheri u shpreh i gatshëm për të ofruar përkrahjen e tij me qëllim të tejkalimit të sfidave me të cilat ballafaqohet sektori privat. /Telegrafi/

Exit mobile version