Site icon Telegrafi

Oda e Afarizmit kërkon mbështeje për rritjen punësimit të femrave

Shkalla e ulët e punësimit të gjinisë femërore dhe rekomandimet për ndryshimet në Ligjin e Punës, përkatësisht nenin 49 që rregullon pushimin e lehonisë, ishin temat kryesore që u diskutuan në takimin që kishin përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me kryetaren e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Duda Balje.

Gjatë këtij takimi deputetja Balje u njoftua për së afërmi me statistikat shumë shqetësuese të cilat OAK ka siguruar dhe që tregojnë një shkallë shumë të ulët të punësimit të gjinisë femërore, me vetëm 12 për qind në krahasim me 48 për qind të meshkujëve. Kjo shkallë e ulët e papunësisë vjen si pasojë e ligjeve të papërshtatshme u tha ndër të tjera në këtë takim.

OAK i prezantoi deputetes analizën e bërë sa i përket çështjes së pushimit të lehonisë dhe krahasimin me vendet e rajonit se si është e rregulluar kjo çështje, duke paraqitur edhe rekomandimet përkatëse për Qeverinë.

Oda kërkon që pushimi i lehonisë të mbulohet 100 për qind nga shteti, ashtu siq kanë bërë shumë vende të rajonit dhe Evropës dhe që ka ndikuar në rritjen e punësimit të femrave.

Kosova ka punësimin më të vogël të femrave në rajon dhe Evropë. Nga rreth 600 mijër femra të afta për punë në Kosovë, vetëm 69 mijë janë të punësuara.

Deputetja Balje u shpreh se si kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore do të përkrahë çdo iniciativë e cila kontribuon në përmirësimin e gjendjes aktuale dhe ka të bëjë me kompentecat e Komisionit që ajo përfaqëson. /Telegrafi/

Exit mobile version