Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi sot konferencën “Barrierat e të bërit biznes në Kosovë”, ku sipas drejtuesve të kësaj Ode, Kosova ende mbetet një nga vendet me më së paku investime në rajon.
OAK-u ka prezantuar katër barriera për të bërë biznes, të cilat i adresohen Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë. Agjencioni Pyjor i Kosovës është administruese e mbi 42 për qind të tokave pyjore në Kosovë, kështu që e bën njërin nga faktorët kryesor në tërheqjen e investimeve.
Ismet Mulaj drejtor ekzekutiv në OAK ka thënë se sot me politikat aktuale të Agjencisë së Pyjeve , nëse një investues është i interesuar që të investojë në një zonë e cila administrohet nga APK, ajo jep pëlqime vetëm deri në 5 vjet dhe atë vetëm për ndërtim të përkohshëm.
“Cili biznes ka interes që të investojë në një zonë ku kontrata për shfrytëzimin e kësaj toke është deri në pesë vite. Asnjë biznes nuk ka arsyeshmëri që të investojë në kontrata kaq afatshkurtra”, ka thënë Mulaj.
Problemi tjetër që i adresohet APK dhe Komisionit për Miniera dhe Minerale është se: të dy institucionet taksojnë një taksë për rikultivim, taksë e cila është e dyfishtë dhe është barrë për biznesin. Sipas tij, nuk ka asnjë investitorë serioz në sektorin minerar në Kosovë. /Telegrafi/