Themelimi dhe funksionalizimi i Odës së Administratorëve Falimentues të Kosovës, është duke u konsideruar si mundësi e mirë për bizneset që janë në vështirësi dhe rrezikojnë falimentimin, e po ashtu konsiderohet për ekonominë e vendit në përgjithësi, pasi që në rast të falimentimit të një biznesi pasojat janë më të pakta.
Kryetari i Odës së Administratorëve Falimentues të Kosovës, e cila është themeluar në janar të 2018, Flamur Keqa ka treguar për misionin e kësaj ode, e cila ka rëndësi të madhe për shtetin por edhe për bizneset me gjendje të keqe financiare.
Ai ka treguar se Oda e Administratorëve Falimentues të Kosovës, është themeluar në fund të janarit 2018.
“Oda e Administratorëve Falimentues aktivitetin e vet e ka filluar këtë vit dhe një nga prioritetet e Odes është që të ngris vetëdijesimin tek bizneset (shoqëritë tregtare) lidhur me ekzistencën e Ligjit mbi falimentimin dhe mundësitë apo përparësitë qe dalin me zbatimin e ligjit si për bizneset individualisht po ashtu edhe për ekonominë e Kosovës ne përgjithësi”, shtoi Keqa, kryetar i Odes se Administratorëve Falimentues të Kosovës.
Ai tregon mënyrën sesi falimenton një biznes.
“Ekzistojnë dy mënyra të inicimit të procesit të falimentimit, njëra mënyrë është kur procesi iniciohet nga debitori insolvent dhe mënyra e dytë e inicimit të falimentimit është nga ana e kreditoreve. Me Ligjin mbi falimentimin është e rregulluar edhe çështja e vlerave të insolvences si dhe afati i mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale. Ligji rregullon dhe përcakton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me falimentimin dhe josolvencën e shoqërive tregtare, dispozitat për mbrojtjen, likuidimin dhe shpërndarjen e aseteve të debitorit falimentues të kreditorët dhe dispozitat për riorganizimin dhe lirimin nga borxhi për shoqëritë tregtare”, tha Keqa për Telegrafin.
Me funksionalizimin e këtij profesioni sipas Keqës, është hequr një barrë edhe nga shteti.
“Për vite me radhe disa funksione dhe përgjegjësi të institucioneve shtetërore po transferohen tek profesionistë të licencuar dhe në mesin e tyre hyn edhe profesioni i administratorit falimentues”, tha Keqa.
Ndryshe sipas tij, për t’i njoftuar bizneset për rëndësinë e falimentimit profesional duhet një bashkëpunim më i madh me shoqatat e bizneseve në vend. /Telegrafi/