Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur aprovimin nga ana e ekzekutivit të Projektligjit për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike.
Përmes një komunikate për medie ata kanë thënë se mirëpresin këtë, aprovim “si një akt i rëndësishëm legjislativ për transformimin e ekonomisë në përputhje me zhvillimet teknologjike globale”.
“Aprovimi i këtij projektligji është njëra nga pesëdhjetë rekomandimet që Oda Amerikane i ka prezantuar Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, “Oda Amerikane vlerëson se ky ligj do të kontribuonte në zhvillimin e ekonomisë digjitale, zvogëlimin e barrës administrative për transaksionet elektronike ndërmjet palëve, si dhe rritjen e efikasitetit të proceseve të biznesit duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme kostot”.
“Në të njëjtën kohë, rritja e sigurisë në transaksionet elektronike do t’u ofronte bizneseve një bazë më të madhe të konsumatorëve”, thuhet tutje në komunikatë.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane shpreh besimin e saj që edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do të aprovojë në kohë të shpejtë Projektligjin në fjalë, së bashku me aktet e tjera legjislative të përfshira në agjendën e këtij viti, e të cilat do të kishin ndikim në përmirësimin e klimës së investimeve dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike të Kosovës. /Telegrafi/