Telegrafi

Oda Amerikane dhe ECIKS, bashkë për tërheqjen e investimeve të jashtme

“Ndonëse Kosova ka resurse të mjaftueshme, ato nuk mjaftojnë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Investimet e huaja vlerësohen si bazë për zhvillimin e vendit në të ardhmen, për rritjen e shkallës së punësimit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha drejtuesi i Nismës Ekonomike për Kosovën ECIKS nga Vjena e Austrisë, Kujtim Dobruna.

Dobruna tha se kanë kontaktuar me rreth 600 investitorë, ndërsa 100 prej tyre kanë marrë informata dhe 13 tashmë kanë investuar tashmë në Kosovë.

Kryetarja e Odës Ekonomike Amerikane, Mimoza Kusari- Lila, tha se pavarësisht nga zhvillimet politike në vend, gjatë vitit 2009 nevojitet një përqendrim më i madh drejt investimeve të huaja.

“Investitorët mund të hezitojnë të vijnë në Kosovë për shkak të situatës politike, e nga ana tjetër mund të ndikojë edhe kriza financiare globale, por organizatat duhet të zhvillojnë aktivitete të shumta dhe të ofrojnë shërbime për investitorët potencialë”, tha Mimoza Lila, drejtoreshë e Odës Amerikane të Kosovës./Telegrafi/