Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell është shprehur i shqetësuar pasi sipas tij kriminelët e luftës në Kosovë ende s’kanë dhënë llogari.
Ai në një tryezë të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare ku u prezantua raporti vjetor mbi monitorimin e gjykimeve mbi krimet e luftës dhe vepra penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë tha se ka vizituar personalisht familjarët e viktimave të luftës në Drenicë, Gjakovë ku janë kryer masakrat.
“Ndjej dhimbje për këto familje”, ka thënë O’Connell, duke shtuar se këto familje nuk e kanë të lehtë të harrojnë se çfarë ndodhi me anëtarët e familjeve të tyre.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë tha se trajtimi i krimeve të luftës duhet të jetë prioritet, në mënyrë që kriminelët e luftës të japin llogari.