Telegrafi

O’Connell: Nepotizmi e korrupsioni po shkatërrojnë Kosovën, po na humb durimi

Pas vendimit të Ambasadës së SHBA-së për t’u tërhequr nga bordi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ka reaguar  ambasadori britanik Ruairi O’Connell, i cili kishte marrë të njëjtin vendim menjëherë pasi që Naser Shala ishte zgjedhur në krye të kësaj agjencie.

O’Connell në një shkrim të bërë në Facebook ka thënë se, Shala ishte zgjedhur vetëm për shkak të lidhjeve të tij që nga koha kur ishte pjesë e UÇK-së, dhe nuk ishte i kualifikuar për një pozitë të tillë, ndërsa kishte kandidatë që ishin të kualifikuar, por nuk u morën në konsideratë nga Kuvendi i Kosovës.

Lexo po ashtu SHBA ndjek shembullin e britanikëve, tërhiqet nga Bordi i Agjencisë së Pronës

Tutje ambasadori britanik ka shkruar se, nepotizmi e korrupsioni po shkatërrojnë Kosovën, ndërsa atyre po iu humbet durimi. Sipas tij, qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë dhe duhet të ndëshkojnë ata që përfshihen në të tilla praktika.

“Nuk ka kuptim të harxhojmë kohën duke u përpjekur të ndihmojmë institucionet e Kosovës kur shumica në Kuvend nuk duan t’ia dinë dhe kur individët nuk kanë turp për t’u punësuar në mënyrë të padrejtë dhe nuk dinë ta bëjnë punën si duhet. Nepotizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën. Durimi i miqve të Kosovës po mbaron. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, por vetëm nëse vendosin të ndëshkojnë ata që përfshihen në këto praktika”, ka shkruar ai./Telegrafi/