Site icon Telegrafi

OBZHE i bën thirrje Greqisë për një politikë fiskale edhe më të shtrënguar për të nxitur rritjen

Greqia duhet të rrisë më tej moshën e saj të daljes në pension dhe të shfuqizojë të gjitha llojet e përjashtimeve nga taksat, ka rekomanduar Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE) në një raport të botuar të hënën, në mënyrë që norma e rritjes të përshpejtohet, si dhe borxhi kombëtar të bëhet i qëndrueshëm.

Edhe pse raporti, i paraqitur në Athinë me rastin e vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OBZHE-së, Angel Gurria, flet për një kthim në rritje, zvogëlon parashikimin zyrtar për një zgjerim ekonomik prej 2.3 për qind këtë vit, duke deklaruar rritje prej 2 për qind. Ajo shton se një sërë reformash mund të forcojnë në mënyrë të konsiderueshme Produktin e Brendshëm Bruto në të ardhmen.

Sipas OBZHE-së, një rritje katërvjeçare në moshën reale të daljes në pension deri në vitin 2030, në vend të rritjes së planifikuar trevjeçare deri në moshën 65-vjeçare për të njëjtin vit, do ta rrisë Produktin e Brendshëm Bruto me 10.4 pikë përqindje, kundrejt 7.5 pikëve me shtrirjen e planifikuar.

“Modernizimi i administratës publike dhe përmirësimi i sistemit të drejtësisë deri në standardet e OBZHE-së deri në vitin 2030 do të kishte ndikim edhe më të madh”, thotë raporti, përcjell Monitor.

Kjo do të nënkuptonte një ndikim të Produktit të Brendshëm Bruto prej 25.6 pikë përqindje, krahasuar me planet aktuale për një rritje prej 14.7 pikë përqindjeje.

Organizata rekomandon reforma të reja në tregjet e mallrave, në mënyrë që ato të arrijnë deri në nivelin e Belgjikës deri në vitin 2020 dhe një rritje në përfitimet familjare për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian deri në vitin 2025.

Në total, reformat që OBZHE ka propozuar do të forcojnë Produktin e Brendshëm Bruto me 46.1 pikë përqindje ose pothuajse 100 miliardë euro në vit, kundrejt 25.4 pikë përqindjeje të parashikuara nga reformat e planifikuara aktualisht. Këto reforma të propozuara gjithashtu do të shkurtojnë borxhin kombëtar në vetëm 100 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2060. /Telegrafi/

Exit mobile version