Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), Roberto Azevedo, bëri thirrje që t’i jepet fund përshkallëzimit, ndërkohë që amerikanët nga njëra anë dhe evropianët nga ana tjetër kërcënojnë njëri-tjetrin me masa doganore ndëshkuese.
“Ne duhet të ndalojmë përshkallëzimin e tensioneve, ky proces, një sy për një sy, nuk është i dobishëm. Sektorë të tjerë do të tërhiqen në krizën që do të dëmtojë të gjithë”, tha ai në përfundim të një mbledhjeje në Berlin me Kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe përfaqësuesit e institucioneve ekonomike dhe financiare ndërkombëtare, përcjell Telegrafi.
Bashkimi Evropian dhe Kanadaja përgatiten të imponojnë më 1 korrik kundërmasa doganore hakmarrëse mbi produktet amerikane pas vendimit të presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa doganore shtesë mbi importin e çelikut dhe aluminit. /Telegrafi/