Telegrafi

Varianti i ri tashmë quhet Omicron dhe OBSH thotë se është “shqetësues”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se mutacioni i ri i coronavirusit është “variant shqetësues”.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, varianti, me emrin Omicron, u raportua për herë të parë në OBSH nga Afrika e Jugut më 24 nëntor.

I njohur më parë si B.1.1.529, varianti është identifikuar gjithashtu në Belgjikë, Botsvanë, Hong Kong dhe Izrael.

OBSH tha të premten se provat e hershme sugjeronin një rrezik në rritje të riinfeksionit me këtë variant.

Në një deklaratë të premten, kur edhe iu dha zyrtarisht emri këtij varianti, organizata tha se numri i rasteve nga ky lloj duket se po rritet në pothuajse të gjitha provincat e Afrikës së Jugut.

“Ky variant ka një numër të madh mutacionesh, disa prej të cilave janë shqetësuese”, thuhet në një deklaratë. /Telegrafi/