Site icon Telegrafi

OBSH thotë se nuk ka nevojë për “alarm të madh”, pas shfaqjes së variantit të ri të coronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi kundër alarmit të madh për një variant të ri, shumë infektiv të coronavirusit që është shfaqur në Britani të Madhe, duke thënë se kjo ishte një pjesë normale e evolucionit të një pandemie.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, zyrtarët e OBSH-së madje panë “një dritë pozitive” në zbulimin e llojeve të reja që nxitën një mori vendesh të alarmuar të vendosnin kufizime të udhëtimit në Britani dhe Afrikën e Jugut, duke thënë se mjetet e reja për të ndjekur virusin po funksiononin.

“Ne duhet të gjejmë një ekuilibër. Është shumë e rëndësishme të kesh transparencë, është shumë e rëndësishme t’i thuash publikut ashtu siç është, por është gjithashtu e rëndësishme të pranosh që kjo është një pjesë normale e evolucionit të virusit”, ka thënë shefi i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan në një konferencë online.

“Të jesh në gjendje të gjurmosh një virus nga afër, me kujdes, kjo shkencërisht në kohë reale është një zhvillim i vërtetë pozitiv për shëndetin publik global, dhe vendet që bëjnë këtë lloj vëzhgimi duhet të vlerësohen”.

Duke cituar të dhëna nga Britania, zyrtarët e OBSH-së thanë se nuk kishin asnjë provë që varianti i bënte njerëzit më të sëmurë ose ishte më vdekjeprurës sesa llojet ekzistuese të COVID-19, megjithëse duket se u përhap më lehtë.

Vendet që imponojnë ndërprerje udhëtimesh po vepronin nga një “bollëk kujdesi” ndërsa vlerësonin rreziqet, tha Ryan, duke shtuar: “Kjo është e matur. Por është gjithashtu e rëndësishme që të gjithë ta pranojnë që kjo ndodh, ndodhin këto variante”.

Zyrtarët e OBSH-së kanë thënë vaksinat e zhvilluara për të luftuar COVID-19 duhet të trajtojnë edhe variantet e reja, megjithëse ishin në proces kontrollet për të siguruar një gjë të tillë.

OBSH tha se pret të marrë më shumë detaje brenda ditëve ose javëve mbi ndikimin e mundshëm të llojit të ri shumë të transmetueshëm të coronavirusit. /Telegrafi/

Exit mobile version