Site icon Telegrafi

OBSH thotë se ende nuk është koha për t’i zvogëluar masat e bllokimit – kërkon forcimin e përpjekjeve në tri fusha

Përkundër “shenjave pozitive” nga disa vende, është shumë herët për të zvogëluar masat e vendosura për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, tha të mërkurën zyra e Organizatës Botërore të Shëndetit.

“Tani nuk është koha për të qetësuar masat”, tha drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, në një konferencë shtypi, shkruan France24, përcjell Telegrafi.

Ai ka paralajmëruar se kontinenti i vjetër ka ende “një rrugë të gjatë për të bërë”.

Ai shtoi: “Është koha për të dyfishuar dhe trefishuar përpjekjet tona kolektive për të ecur drejt ‘shtypjes së virusit’ me gjithë mbështetjen e shoqërisë”.

Kluge u bëri thirrje “të gjitha vendeve” të forcojnë përpjekjet e tyre në tre fusha kryesore.

Së pari, mbrojtja e punonjësve të shërbimit shëndetësor, përfshirë trajnimin dhe sigurimin se ata kanë strukturat e nevojshme mbështetëse.

Së dyti, autoritetet duhej të përqendroheshin në ndalimin dhe ngadalësimin e përhapjes së Covid-19 duke përdorur masa të shëndetit publik që synojnë ndarjen e “njerëzve të shëndetshëm nga rastet e dyshuara dhe të mundshme”.

Dhe së treti, qeveritë dhe autoritetet duhej të komunikonin vazhdimisht me komunitetet për t’i bërë njerëzit të jenë në përputhje me “masat e tanishme dhe të mundshme në të ardhmen”.

‘Gjysmë-izolim’

Disa vende evropiane kanë njoftuar planet për të filluar lehtësimin e masave kufizuese të paraqitura për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Të hënën, Austria njoftoi planet për të filluar hapjen e disa bizneseve dhe parqeve publike nga 14 prilli.

Danimarka dhe Norvegjia, të cilët kanë adoptuar dy strategji të “gjysmë-mbylljes”, gjithashtu kanë sinjalizuar lirimin e disa masave më vonë në prill.

OBSH për Evropë vuri në dukje se ndërsa rastet në Spanjë dhe Itali – vendet më të goditura të Evropës – ishin ende në rritje, shkalla e rritjes duket se ishte ngadalësuar pas futjes së masave kufizuese dhe bllokimeve.

Ajo gjithashtu vuri në dukje përparimin në Austri, Gjermani, Hollandë dhe Zvicër.

Por Kluge shprehu alarm për “rritjen dramatike të përhapjes së virusit” në Turqi gjatë javës së kaluar, dhe tha se një rritje e re ishte vërejtur në Suedi.

Rastet në Izrael, Ukrainë, Belgjikë dhe Norvegji ishin gjithashtu në rritje.

OBSH raportoi se gjithsej 687,236 raste të konfirmuara ishin raportuar në të gjithë kontinentin, me 52.824 vdekje. /Telegrafi/

Exit mobile version