Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), mirëpriti rezultatet e kompanisë amerikane Moderna, e cila njoftoi të hënën që vaksina eksperimentale rezultoi me efikasitet prej 94.5 për qind, mirëpo organizata deklaroi se “mbeten ende disa pyetje”.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, OBSH deklaroi se vetëm sasi shumë të kufizuara të çdo vaksine do të jenë në dispozicion në gjysmën e parë të vitit 2021 për njerëz të tjerë, përveç punonjësve shëndetësorë.
“Derisa ne vazhdojmë të marrim lajme inkurajuese në lidhje me vaksinat kundër COVID-19, mirëpo për momentin jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga rritja e rasteve që po shohim në disa vende, veçanërisht në Evropë dhe Amerikë”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ndërkohë edhe shkencëtarja kryesore e OBSH-së, Soumya Swaminthan, tha se rezultatet e Moderna-s ishin mjaft inkurajuese. Efikasiteti përfundimtar dhe profili i sigurisë së vaksinës do ishte akoma i nevojshëm si dhe monitorimi i pjesëmarrëve në testim për dy muaj për ndonjë efekt të mundshëm anësor.
“Përkundër rezultateve mbeten edhe shumë pyetje në lidhje me kohëzgjatjen e mbrojtjes, ndikimin në sëmundjen e rëndë, ndikimin tek popullata të ndryshme, veçanërisht të moshuarit si dhe ndodhitë e padëshiruara përtej një periudhë të caktuar kohore”, u shpreh Swaminathan. /Telegrafi/