Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka raportuar se globalisht më shumë se 294 mijë raste u konfirmuan brenda 24 orëve nga coronavirusi – shifër e cila thuhet të jetë më e larta që nga shpërthimi i pandemisë.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, numri i përgjithshëm i të infektuarve botërisht ka shkuar në 21 milionë, ndërsa 771 mijë persona kanë ndërruar jetë.
SHBA-ja është vendi i parë në botë me më së shumti raste, pasi vendi ka konfirmuar deri më tani rreth pesë milionë të infektuar dhe 170 mijë viktima.
Pas SHBA-së, radhitet Brazili në vendin e dytë me rreth 3.3 milionë raste, pasuar me Indinë e cila ka konfirmuar deri më tani rreth 2.5 milionë të prekur.
Ndërkohë, rritje të dukshme të rasteve po raportohen edhe në disa vende të Evropës, pasi vetëm të shtunën Franca raportoi 3,310 raste të reja nga virusi, ndërsa Britania e Madhe konfirmoi rreth 1,000 raste për të pestën ditë radhazi. /Telegrafi/