Rreth 10 për qind e popullsisë globale mund të jetë infektuar me coronavirus, ka thënë një ekspert i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Dr. Michael Ryan, kreu i emergjencave të organizatës, paralajmëroi se 90 për qind e botës ende mund të jetë në rrezik nga COVID-19.
Duke folur në një takim të bordit ekzekutiv të OBSH-së me 34 anëtarë duke u përqendruar në COVID-19 të hënën, Dr. Ryan tha se shifrat ndryshojnë nga zonat urbane në fshatra, dhe midis grupeve të ndryshme, por që në fund të fundit kjo do të thotë se “shumica dërrmuese e botës mbetet në rrezik”.
“Vlerësimet tona më të mira aktuale na tregojnë rreth 10 për qind e popullsisë globale mund të jenë infektuar nga ky virus”, citohet të ketë thënë ai.
“Kjo ndryshon në varësi të vendit, ndryshon nga zonat urbane në fshatra, ndryshon në varësi të grupeve. Por ajo që do të thotë është se shumica dërrmuese e botës mbetet në rrezik”.
“Tani jemi drejt një periudhe të vështirë. Sëmundja vazhdon të përhapet”.
Dhe sipas kësaj, vlerësimi do të arrinte në atë se më shumë se 760 milionë njerëz janë infektuar deri më tani, bazuar në popullsinë aktuale të botës prej rreth 7.6 miliardë.
Kjo tejkalon numrin e rasteve të konfirmuara si të vlerësuara nga OBSH dhe Universiteti Johns Hopkins – më shumë se 35 milionë në të gjithë botën.
Ai ka bërë të ditur edhe se OBSH ka paraqitur një listë të ekspertëve për të marrë pjesë në një mision ndërkombëtar në Kinë për të hetuar origjinën e coronavirusit, për shqyrtim nga autoritetet kineze. /Telegrafi/