Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëroi të premten që gjithnjë e më shumë të rinj po sëmuren rëndë ose vdesin nga infeksioni coronavirus në të gjithë botën.
“Ne po shohim gjithnjë e më shumë të rinj që kanë simptoma të rënda”, tha doktoresha Maria Van Kerkhove në një konferencë shtypi në Gjenevë, raporton CNBC.
“Sipas të dhënave nga shumë vende të Evropës, ne mund të shohim se të rinjtë gjithashtu vdesin. Disa prej tyre kanë sëmundje të tjera kronike dhe disa jo”, shtoi ajo.
“Njerëzit në vitet e tyre të 30-ta, 40-ta dhe 50-ta po vdesin”
Tani për tani, nuk dihet shumë në lidhje me Covid-19. Për shembull, nuk dihet pse sëmundja zhvillohet në disa individë me simptoma të rënda, ndërsa të tjerët përjetojnë simptoma relativisht të buta, transmeton Telegrafi.
“Shumica e njerëzve me simptoma të rënda të kujdesit intensiv janë zakonisht të moshuar ose kanë probleme të tjera shëndetësore. Por në disa vende, ka raste që individë në vitet 30, 40 dhe 50 të cilët janë infektuar me Covid-19 përfundojnë në kujdes intensiv dhe disa edhe vdesin”, tha Van Kerkhove.
Në Itali, vendi me numrin më të madh të vdekjeve nga coronavirusi në botë, 10% deri 15% të të gjithë personave në kujdes intensiv janë nën moshën 50-vjeç. Në Korenë e Jugut, një në gjashtë vdekje është nën moshën 60-vjeç.
Në muajt e fundit, është dëgjuar shumë shpesh që kjo sëmundje po prek vetëm të moshuarit, por edhe se nuk është e rrezikshme për të rinjtë në rast se i kap ata.
Fëmijët gjithashtu mund të kenë simptoma të rënda
OBSH ka paralajmëruar më parë se të rinjtë mund të infektohen me Covid-19 dhe të zhvillojnë simptoma të rënda kërcënuese për jetën. Muajin e kaluar, ekspertët e shëndetit botëror prezantuan një studim kinez të kryer mbi 2.143 fëmijë të dyshuar ose të konfirmuar se ishin të infektuar me coronavirus. Studimi zbuloi se më shumë se 90% të rasteve ishin asimptomatike, me simptoma të butë ose të moderuar. Sidoqoftë, pothuajse 6% e rasteve ishin serioze ose kritike.
Studime të tjera kanë treguar gjithashtu se të rriturit kanë më shumë të ngjarë (por jo të sigurt) për të zhvilluar simptoma më të rënda ose të vdesin sesa fëmijët dhe adoleshentët, dhe se simptomat shpesh janë të buta tek fëmijët, ndryshe nga gripi, kur fëmijët janë në rrezik më të madh të komplikimeve.
Edhe pse fëmijët kanë një sistem imunitar të papjekur dhe një reagim më të fortë ndaj infeksioneve, coronavirusi nuk duket se ndikon në ta në këtë mënyrë, raporton BBC .
Por kjo nuk do të thotë që fëmijët ose adoleshentët nuk mund të kenë simptoma serioze ose të humbasin jetën e tyre. Në Londër, për shembull, 13-vjeçari Ismail Mohamed Abdulwahab, i cili ishte i infektuar me Covid-19 dhe nuk kishte asnjë problem tjetër serioz shëndetësor, ndërroi jetë disa ditë më parë .
Një javë më parë, një djalë 14-vjeçar, i cili u zbulua se ishte pozitiv me coronavirus, vdiq në Portugali, dhe në Belgjikë javën e kaluar, një vajzë vetëm 12-vjeç vdiq nga Covid-19. /Telegrafi/