Site icon Telegrafi

OBSH: Evropa rrezikon të përballet me rritje të viktimave nga coronavirusi gjatë muajve të ardhshëm

Evropa rrezikon të përballet me rritje të numrit të viktimave nga coronavirusi gjatë muajit tetor dhe nëntor, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Situata do të përkeqësohet. Në muajin tetor dhe nëntor ne do të përballemi me rritje të mortalitetit”, tha drejtori i zyrës së OBSH-së për Evropë, Hans Kluge.

Kontinenti mund të përballet me rritje ditore të vdekjeve, paralajmëroi organizata.

“Gjendemi në një situatë ku vendet nuk dëshirojnë t’i dëgjojnë lajmet e këqija, mirëpo e kuptoj plotësisht”, tha Kluge.

Bëhet e ditur se 55 vendet anëtare të OBSH-së në Evropë do të mbajnë një mbledhje ‘online’ të hënën dhe të martën, për të diskutuar për sa i përket situatës së menaxhimit të pandemisë së coronavirusit.

“Disa mendojnë se vaksina do t’i japë fund pandemisë, sigurisht që jo”, u shpreh drejtori i OBSH-së.

“Ne nuk e dimë nëse vaksina do të funksionojë tek të gjitha grupet e popullatës”, theksoi Kluge. /Telegrafi/

Exit mobile version