Numri i rasteve me coronavirus në Evropë është rritur për të pestën javë radhazi, duke e bërë atë rajonin e vetëm në botë ku vazhdon të rritet infeksioni me Covid-19, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Në një raport javor për pandeminë, agjencia shëndetësore e OKB-së thekson se numri i rasteve të reja u rrit me 6.0 për qind në Evropë, krahasuar me rritjen prej 18 për qind të regjistruar javën e kaluar, raporton agjencia AP.
Numri javor i infeksioneve të reja në rajone të tjera ka rënë ose ka mbetur afërsisht i njëjtë, thuhet në raport.
Rënia më e madhe u regjistrua në Lindjen e Mesme, ku numri i rasteve të reja u ul me 12 për qind dhe në Azinë Juglindore dhe Afrikë, ku numri ra me nëntë për qind.
Gjithsej tre milionë raste të reja javore janë raportuar në mbarë botën, thuhet në raport.
Numri i vdekjeve nga COVID-19 në botë u rrit me 8 për qind, kryesisht për shkak të Azisë Juglindore, ku shkalla e vdekjeve u rrit me 50 për qind.
Shkalla e infeksionit me coronavirus ishte larg nga më e larta në Evropë, e cila raportoi rreth 192 raste të reja për 100.000 njerëz, e ndjekur nga Amerika Veriore dhe Jugore, me rreth 72 raste të reja për 100.000 njerëz.
Ndërsa Republika Çeke, Polonia dhe vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë raportuar rritjen e fundit të infeksionit, rritja e vazhdueshme e rasteve të konfirmuara në të gjithë Evropën është kryesisht për shkak të rritjes së infeksioneve në Britani, Rusi, Turqi dhe Rumani, tregon raporti.
OBSH ka dënuar gjithashtu vendet e pasura për futjen e dozave përforcuese, në një kohë kur shumica e vendeve të varfra ende nuk kanë administruar vaksina për popullsinë e tyre më të cenueshme.
OBSH njoftoi javën e kaluar se rreth një milion doza përforcuese jepen çdo ditë, që është rreth tre herë më shumë se numri i vaksinave të dhëna në vendet e varfra.