Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM vlerëson se Ligji i gjuhëve do të sjell dëme të mëdha për vendin, sidomos në politikë dhe ekonomi. Ata thonë se pasojat do t’i paguajnë qytetarët e vendit.
“Ligji për dygjuhësi, kështu siç është nuk guxon të hyjë në fuqi. Përveç asaj që është “jokushtetues dhe i pazbatueshëm”, i njëjti do të bëjë dëm të madh, edhe politik edhe ekonomik. Pasojat do t’i paguajnë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë”, thonë nga OBRM-PDUKM, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ata më tej shtojnë se shuma prej 1,7 milionë euro, të cilën pushteti e parashikoi për zbatimin e dygjuhësisë, me buxhetin për vitin 2018 është vetëm një paravan. Sipas tyre shpenzimet reale do të jenë shumë më të larta, si për institucionet qendrore, ashtu edhe për institucionet në nivel lokal.
“LSDM-ja fsheh nga qytetarët sa nga paratë e popullit do të shpenzohen për punësimin e përkthyesve në gjuhën shqipe në Shtip, Gjevgjeli, Strumicë, Radovish, Delçevë dhe qytete tjera nga pjesa lindore dhe jugore e shtetit, por edhe në të gjitha vendkalimet kufitare në shtet. LSDM-ja nuk tregon sa do të kushtojnë përkthyesit dhe përkthimet gjyqësore në të gjitha gjykatat themelore dhe të apelit në RM?”, shtojnë nga OBRM-PDUKM./Telegrafi/