Telegrafi

OBRM-PDUKM: Vrima e buxhetit deri në fund të vitit do të arrijë 1.3 miliard euro

LSDM në sulmin e korrupsionit parazgjedhor që ata filluan në tre muajt e parë të vitit deri sot kanë shpenzuar 120 milion euro më shumë sesa mblodhën në buxhet. Vetëm në tre muajt e parë, ata e futën në borxh secilën familje në Maqedoni për 15.000 denarë. Grabitja që po kryen LSDM-ja është më e keqe dhe me pasoja më shkatërruese për vendin, qoftë edhe nga ajo në tranzicion, akuzojnë nga partia opozitare OBRM-PDUKM.

“Vrima e buxhetit është dy herë më e madhe sesa që ka qenë deri tani, pra në vitet 2017, 2018 dhe 2019. Lakmia dhe korrupsioni i LSDM-së na çuan në një situatë të vështirë ekonomike gjatë krizës. Vetëm në mars, kur filloi kriza, vrima e buxhetit ishte 50 milion euro. Një rënie prej 4 përqind e BPV-së, siç parashikon FMN, vetëm do të përkeqësojë situatën ekonomike”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Sipas opozitës, nëse LSDM vazhdon kështu, vrima e buxhetit deri në fund të vitit do të arrijë mbi 1.3 miliard euro. Janë para që qeveria do të duhet të marrë hua dhe nuk do të shpenzohet për zhvillimin ose ringjalljen e ekonomisë, por vetëm për mbijetesë./Telegrafi/