Telegrafi

OBRM-PDUKM thotë se Janeva, Boki 13 dhe Milevski nuk janë të vetmit në skandalin ‘Haraçi’

Nëpërmjet një konference për shtyp, zëdhënësi i OBRM-PDUKM-së, Dimçe Arsovski thotë se ‘Katica Janeva, Bojan Jovanvoski dhe Zoran Milevski nuk janë të vetëm në skandalin ‘Haraçi’ dhe se kjo tashmë është fakt që disa herë është vërtetuar”.

Ai thotë se pa përkrahjen politike, institucionale dhe pajtimin nga kryeministri Zaev dhe LSDM, tre të dyshuarit e parë në rastin ‘Haraçi’ nuk do të mund të merrnin as 100 denarë dhe jo, siç tha Arsovski, 20 milionë euro, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Mbrëmë për fat të keq Vilma Ruskovska, përkatësisht prokuroria Ruskovska, dëshmoi se i gjithë hetimi për këtë zhvatje është vetëm një farsë. Ata pa turp e shpallën hetimin të përfunduar. Madje edhe zogjtë e dinë se ka persona më shumë në këtë mega skandal”, tha Arsovski.

Arsovski përmendi se gjatë hetimit Kattica Janeva me muaj nuk është arrestuar dhe gjatë kësaj periudhe janë humbur telefonë, janë formatuar kompjuterë ndërsa Ruskovska ishte në pushim me gjithë prokurorinë.

“E gjithë kjo flet se hetimi është kontaminuar dhe ekzistojnë indicje serioze se Ruskovska me punën e saj ka mbrojtur personat siç u përmendën në opinion, Kiki, Friki, Sheki, Baki dhe të tjerë”, tha Arsovski.

Ruskovska, sipas Arsovskit, tashmë e ka humbur kredibilitetin ta udhëheqë rastin ‘Haraçi’./Telegrafi/