Telegrafi

OBRM-PDUKM: Ruskovska vazhdon ta mbrojë Zoran Zaevin

Partia opozitare maqedonase përmes një kumtese për media e akuzon prokuroren Villma Ruskovska, se e mbron Zoran Zaevin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Nga OBRM-PDUKM thonë se “Ruskovska para se ta mbrojë në rastin Haraçi, e kishte mbrojtur edhe për krim të dukshëm zgjedhor, i dokumentuar me masa të veçanta hetuese”.

“Villma Ruskovska edhe më tutje e mbron Zoran Zaevin me çdo kusht. Media italiane La Verita mbrëmë publikoi dëshmi të reja për krimet e Zoran Zaevit, dëshmi të cilat i ka prokuroria, por lënda për Zaevin edhe më tutje ruhet në sirtarë. Në atë sirtar ka dëshmi për ryshfet në zgjedhje, kërcënime, shantazhe, presione të cilat e pamundësojnë me Kushtetutë të drejtën e garantuar të qytetarëve që lirshëm ta shprehin vullnetin e tyre në zgjedhje”.

“Në Prokurorinë e Krimit të Organizuar ka dëshmi, masa të veçanta në të cilat dëgjohet zëri i Zaevit dhe vëllait të tij Vice Zaev se si haptas flasin në telefon për shoqërimin kriminal të cilin e kanë formuar, gjegjësisht rrjetin e zhvilluar lartë për blerjen e votave përmes kërcënimeve dhe ryshfetit të votuesve”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Ata theksojnë se “pas 12 prillit vjen rilindja e Maqedonisë, rilindja e sistemit të drejtësisë dhe kthimi i drejtësisë në Republikën e Maqedonisë, ndërsa atëherë do të përgjigjen të gjithë ata që kishin gabuar para ligjit si dhe ata të cilët mbrojtën krimin dhe korrupsionin në vend se t’i ndjekin kryesit”./Telegrafi/