Nëpërmjet një njoftimi të partisë opozitare maqedonase OBRM-PDUKM thuhet se “Zoran Zaevi dhe Qeveria e LSDM-së janë sinonim i krimit, korrupsionit dhe haraçit”.
Sipas OBRM-PDUKM-së, të vetmen gjë që pamë gjatë këtyre tre viteve nga Zoran Zaevi janë aferat dhe punët ilegale, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Njeriu që tre herë u amnistua për krim milionësh tani hoqi shtetin e së drejtës. Banda e haraçit në krye me të amnistuarin Zaev e kapi shtetin dhe tani sundon me mafinë”, thuhet në njoftimin e partisë opozitare maqedonase.
Ata shtojnë se për tre vite të qeverisjes së LSDM-së, pamë krim dhe korrupsion, afera korruptuese që kulmuan me aferën më të madhe në historinë e Maqedonisë, afera ‘Haraçi’.
“Tani e shohim se haraçi ka edhe vazhdim të haraçit. Pushteti jo vetëm që ka zhvatur biznesmenët e Maqedonisë, por e ka keqpërdorur fuqinë dhe ka ndikuar ndaj investitorëve të huaj”, thuhet në njoftimin e OBRM-PDUKM-së duke shtuar se Ruskovska dhe Joveski janë ata që amnistojnë krimin e pushtetit.
Në fund thuhet se të gjithë do të përgjigjen për veprimet e veta./Telegrafi/