Pasi Qeveria e Maqedonisë në seancën e djeshme solli vendim që urgjentisht të zgjidhet problemi me deponinë në Strugë, ka reaguar partia më e madhe opozitare. Ata përmes një kumtese, këtë vendim të Qeverisë e quajnë joserioz dhe të papërgjegjshëm, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Është joserioze dhe e papërgjegjshme që Qeveria pas dy muajve të plotë, pasi qytetarët e Strugës janë helmuar çdo ditë nga djegia e deponisë, të sjell vendim për zgjidhje urgjente të këtij problemi serioz. Qeveria lejoi që dy muaj deponia të hemojë qytetarët dhe të shkatërrojë sezonin turistik në këtë rajon”, thonë nga OBRM-PDUKM.
Deputetë e OBRM-PDUKM-së dhe koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” në 15 qershor sollën informacione për gjendjen e deponisë së egër në Strugë dhe kërkuan seancë urgjente në të cilën do të diskutohej për deponinë.
Nga OBRM-PDUKM kërkojnë qe Qeveria në vend që të merret me punësime partiake, të fokusohet në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve./Telegrafi/