Telegrafi

OBRM-PDUKM: Përderisa qytetarët mezi po ia dalin, karteli kriminal i pushtetit po pasurohet

Nëpërmjet kumtesës së partisë opozitare maqedonase OBRM-PDUKM thuhet se “Zoran Zaev dhe Stevo Pendarovski e shkatërruan ekonominë. Republika e Maqedonisë po fundoset me LSDM-në në pushtet. S’ka familje në shtet që nuk ballafaqohet me probleme që ka nxitur ky pushtet”.

Sipas tyre gjysmë milionë njerëz jetojnë në varfëri ndërsa pushteti në vend se të krijojë mundësi për zhvillim, po shkatërron shtetin, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Përderisa qytetarët mezi po ia dalin në fund, karteli kriminal i pushtetit po pasurohet. Mbi gjysmë miliardë euro është borxhi publik që e bëri kjo Qeveri”, thonë nga OBRM-PDUKM duke thënë se borxhi tejkaloi kufirin prej 50 për qind dhe se qytetarët nuk e dinë se ku janë shpenzuar ato para.

“Niveli i realizimit të investimeve kapitale është 6% për tre mujorin e parë të vitit. Sipas rrjedhës aktuale, ky vit do të jetë më i keq se viti i kaluar”, thonë nga OBRM-PDUKM duke theksuar se vota për Stevo Pendarovskin është votë për Zoran Zaevin që të vazhdojë me trendin negativ të ekonomisë./Telegrafi/