OBRM-PDUKM-ja sot ka reaguar ndaj marrjes së pasaportave të disa funksionarëve të tyre, dhe bëjnë thirrje për argumentime ligjore të vendimeve të gjykatave.
Marija Jakimovska nga radhët e OBRM-PDUKM-së, para Gjykatës së Apelit tha se me presion të Qeverisë së LSDM-së, gjykatat kanë sjellur vendim jashtë çdo logjike të shëndoshë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas saj, gjykatat ndodhen në presion të organizuar politik dhe sulmi nga ana e Qeverisë së LSDM-së, mediumet nën kontroll të tyre dhe PSP-ja.
“Pikërisht për këto arsye, para një viti kjo gjykatë solli vendim që t’ia kthejë pasaportën Zoran Zaevit, i cili u kap duke dhënë ryshfet prej 200 mijë eurove. Gjykata duroi presion dhe lejoi të poshtërohet nga ana e Zaevit, i cili ikte nga seancat me arsye se kishte takime me ambasadorët, takime që më vonë u demantuan nga vetë ambasadorët”, tha Jakimovska.
Ajo shtoi se gjyqësori në Maqedoni ka kapacitet t’i rezistojë presionit dhe të sjell vendime në pajtim me normat ligjore të Maqedonisë./Telegrafi/