Telegrafi

OBRM-PDUKM: Pas sulmit ndaj policit, kryetari i Kriva Pallankës nuk është i aftë për të mbajtur postin

Qeveria tentoi të fshehë skandalin me kryetarin e Kriva Pallankës që sulmoi një polic. Por një skandal i tillë nuk mund të fshihet. Dhuna ka ndodhur më 14 janar, ndërsa MPB-ja vetëm dje pas 4 ditësh ka raportuar se kanë zhvilluar një bisedë informative me kryetarin Mitovski, thuhet në njoftimin e OBRM-PDUKM-së.

Nga atje theksojnë se ky rast është larg nga zbardhja dhe MPB-ja e Spasovskit nuk duhet të mendojë ta fshehë atë. Kjo nuk mund të kalojë as me lirim, as me kusht, sepse Mitovski është zgjedhur që të punojë për qytetin, jo për të rrahur qytetarët.

OBRM-PDUKM rikujton se më 14 janar kryetari Mitovski pa asnjë arsye sulmoi një polic në gjendje të dehur dhe e goditi me shuplakë para disa personave. Pas kësaj ngjarje, sipas pretendimit të viktimës, janë kërcënuar punonjësi i policisë dhe familjarët e tij për tërheqjen e kallëzimit.

“Mitovski të japë dorëheqjen, ai nuk është më i denjë për postin që mban. LSD-ja dhe institucionet nën kontrollin e tyre sado të përpiqen ta mbrojnë nuk do të munden, sepse populli është trimëruar dhe nuk i trembet më. Do të ketë përgjegjësi”, thuhet në njoftim.