Telegrafi

OBRM-PDUKM nuk merr pjesë në Grupin punues për reforma në legjislacionin zgjedhor

 

Grupi punues për reforma në legjislacionin zgjedhor ka mbajtur seancën konstituive. Kryetar i grupit punues është Aleksandar Novakovski, ekspert dhe ish-kryetar i KShZ-së.

Ky grup punues do të ketë për detyrë zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe do të punojë në Kodin e ri Zgjedhor.

Ky proces është gjithëpërfshirës dhe në të janë përfshirë përfaqësues të partive politike, organizatave joqeveritare, sindikatave, ministrive dhe organeve përgjegjëse për zbatimin e procesit zgjedhor.

Edhe pse bëhet fjalë për Grup punues që angazhohet për reforma në legjislacionin zgjedhor, megjithatë, partia maqedonase opozitare OBRM-PDUKM ende nuk i është bashkëngjitur grupit punues, ndërsa ministri Krenar Lloga u bëri thirrje që të bashkëngjiten dhe nëpërmjet të procesit debatues dhe diskutues t’i parashtrojnë të gjitha propozimet dhe iniciativat për reforma në legjislacionin zgjedhor./Telegrafi/