Telegrafi

OBRM-PDUKM: Nuk marrim pjesë në grupet e punës për ndryshimet kushtetuese

OBRM-PDUKM ka hedhur poshtë idenë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që të delegojë përfaqësues të saj në grupet e punës për ndryshimet kushtetuese, me të cilat, Bullgarët dhe bashkësi tjera duhet të futen në Kushtetutë.

OBRM-PDUKM-ja ka përsëritur qëndrimin se ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin me këtë përbërje parlamentare.

“Qëndrimi i OBRM-PDUKM-së është i qartë. Nuk do të merr pjesë në grupe të tilla pune nga shkaku se bëhet fjalë për një proces jolegjitim dhe disa herë kemi thënë dhe i kemi bërë thirrje qeverisë që të mos i hyjë procesit të ndryshimeve kushtetuese, pasi nuk ka mbështetje nga qytetarët”, tha Marija Miteva.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se së shpejti do t`u dërgojë letra partive politike, me të cilët do të kërkojë nominimin e ekspertëve që të jenë pjesë e grupit për ndryshime kushtetuese.

Zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ka deklaruar se Qeveria është e gatshme t`i lejojë opozitës formulimin e amendamenteve kushtetuese, konform kornizës negociuese, sic tha, për të fituar besim në këtë proces.