OBRM-PDUKM ka reaguar përmes një deklarate lidhur me situatat e krijuara së fundmi me grevën e mësimdhënesve organizuar nga SASHK-u si dhe me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në tregun vendor. Sipas tyre, qeveria aktuale nuk ka aftësi për të menaxhuar situatat e krijuara, me ç’rast si zgjidhje të vetme sheh vetëm kërcënimet dhe shtimin e varfërisë.
“LSDM po lufton për karrike, ata janë të pafytyrë, arrogantë dhe po e shkelin popullin që po varfërohet. Populli paguan 110% naftën, mbi 70% karburantet, mbi 100% bukën, të gjitha produktet bazë janë rritur mbi 50%, dhe rrogat nuk janë rritur as edhe një herë dhe kur punëtorët kërkojnë rritje, marrin vetëm kërcënime dhe arrogancë nga qeveria. Kovaçevski është i pafytyrë me popullin nga pozita e pushtetit pasi kërcënon mësuesit se do t’i shkarkojë. Qeveria as që mund të bëjë asgjë, borxhi publik është pothuajse dyfishuar, nuk ka investime, përkundrazi ka inflacion dhe nuk ka rritje të ekonomisë. Vendi është në stagnacion. Këto janë të paaftë, madje edhe arrogantë”, thuhet në deklaratë.
Nga OBRM-PDUKM thonë se me këtë qeveri Maqedonia nuk mund të ketë përparim.
“Njerëzit përballen me fatura më të shtrenjta çdo muaj. Mbi 30% më shtrenjtë energjia elektrike, mbi 15% ngrohja qendrore më e shtrenjtë, mbi 70% karburantet më të shtrenjta. Nuk ka asgjë që nuk është më e shtrenjtë, dhe në të njëjtën kohë fuqia blerëse e popullsisë është në fund. Me këtë qeveri Maqedonia nuk mund të ecë përpara”, thuhet në deklaratën partiake të OBRM-PDUKM-së.