Telegrafi

OBRM-PDUKM: Me LSDM-në në pushtet nuk ka drejtësi

Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, përmes një komunikate akuzojnë pushtetin për mbulim të krimit dhe funksionarëve të korruptuar të LSDM-së.

Nga OBRM-PDUKM thonë se gjykatat, Prokuroria Themelore dhe Prokuroria Speciale punojnë si dorë e zgjatur e Zoran Zaevit, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Drejtësia, Kushtetuta dhe ligjet nuk ekzistojnë. Tanimë askush nuk beson në drejtësinë që vjen nga urdhërat partiake të LSDM-së. Prej kur LSDM-ja është në pushtet, krimi i funksionarëve të tyre vetëm mbulohet”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Ata shtojnë se Prokuroria hesht dhe nuk tregon se deri ku kanë arritur hetimet ndaj dy funksionarëve që në qeverinë e Zaevit dyshohen për korrupsion.

“Hetime për zgjedhjet kriminale dhe kërcënimet mbi votuesit gjatë zgjedhjeve lokale akoma nuk ka. Procedurë kundër ministrit të Punëve të Brendshme për arrestimin e deputetëve akoma nuk ka, ndërsa nga ana tjetër personat që ngrisin zërin kundër LSDM-së përfundojnë në burg”, thonë nga OBRM-PDUKM./Telegrafi/