Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM ka reaguar pas takimit të liderëve politik shqiptarë nga Maqedonia me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Tiranë.
Nga OBRM-PDUKM thonë se ky takim është bërë me kërkesë të kryeministrit Kovaçevski, për të shpëtuar pushtetin.
“Kurrfarë takimesh dhe zbatimi i agjendave të të tjerëve nuk do ta shpëtojnë Dimitar Kovaçevskin dhe LSDM-në nga një humbje katastrofike në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare. Heshtja e plotë nga ana e LSDM-së për takimin në Tiranë, është vetëm një tjetër dëshmi se ky takim është me kërkesë të Kovaçevskit për të shpëtuar karrierën e tij. Ky takim është pikërisht me kërkesë të Dimitar Kovaçevskit për të marrë ndihmë për vazhdimin e mandatit, ndërsa në këmbim të realizohen agjendat e tjera në dëm të Maqedonisë”.
“Është evidente paniku dhe frika e LSDM-së dhe BDI-së për mbijetesën e qeverisë të tyre, sepse po e humbasin me shpejtësi besimin e qytetarëve, prandaj u duhej ky takim. LSDM dhe Kovaçevski duhet të përgjigjen nëse nga takimi në Tiranë në tryezë do të marrin sërish marrëveshje të dëmshme, të cilat do t’i pranojnë pa diskutim për të shpëtuar karrierën e tyre?”, thuhet mes tjerash në reagimin e OBRM-PDUKM-së.