Telegrafi

OBRM-PDUKM: Lirimi i Milevskit nga paraburgimi, tregon se pushteti ka marrëveshje të heshtur për rastin “Haraçi”

Partia maqedonase opozitare OBRM-PDUKM, përmes një kumtese për media thekson se lëshimi i Zoran Milevskit nga paraburgimi, tregon se pushteti ka marrëveshje të heshtur për zgjidhjen e rastit “Haraçi”, me çka sipas tyre, do të fshihen gjurmët që çojnë tek Zoran Zaevi.

“Të mos ishte presioni ndërkombëtar për rastin ‘Haraçi’, as nuk do të kishte hetime, as zhvatësit nuk do të ishin në paraburgim. Ruskovska tronditi hetimet kur nuk e paraburgosi Janevën një muaj pas arrestimit të Zoran Milevskit dhe Boki 13, dhe la kohë të mjaftueshme që ajo të ndikojë tek dëshmitë dhe dëshmitarët. Tani sërish luajnë me drejtësinë dhe e lëshuan Milevskin nga paraburgimi pas dy muajve”, thonë nga OBRM-PDUKM, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ata shtojnë se “vetë fakti që Milevski del nga paraburgimi, tregon se pushteti dëshiron ta errësojë rastin”./Telegrafi/