Telegrafi

OBRM-PDUKM: Kjo qeveri anashkalon masat anti-krizë, nuk interesohet për standardin jetësor të qytetarëve

Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, ka reaguar ndaj kryeministrit të vendit, Dimitar Kovaçevski dhe qeverisë se nuk po ndërmarrin masa konkrete për të mbrojtur standardin e jetës së qytetareve.

OBRM-PDUKM, fajëson qeverinë për mos përgjegjësi dhe jo korrektesë ndaj qytetarëve.

“Çmimet e produkteve bazë po rriten çdo ditë e më shumë, me çka qytetarët e Maqedonisë po varfërohen gjithnjë e më shumë. Përderisa të gjitha shtetet serioze marrin masa për mbrojtjen e standardit të qytetarëve, në vendin tonë Qeveria jo vetëm që nuk i ka vazhduar masat, por as nuk ka thënë nëse po mendon të ndërmarrë ndonjë veprim urgjent”, thuhet në komunikatën e OBRM-PDUKM-së.

“Inflacioni arriti në 10.5% në muajin prill dhe ishte një nga më të lartët në Evropë, dhe që atëherë çmimet e energjisë dhe produkteve në tregje janë ngritur në qiell. Buka ka arritur 40 denarë, mielli, qumështi dhe sheqeri janë 60 denarë, vaji për gatim mbi 165 denarë. Nëse kësaj i shtojmë se karburantet dhe energjia elektrike janë shtrenjtuar, atëherë qytetarët janë sjellë në ekzistencë”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Partia opozitare thekson se qeveria e Kovaçevskit pa turp po ikën nga përgjigjet se përse nuk i vazhdoi masat që parashikonin uljen ose heqjen e tarifave të TVSH-së për produktet kryesore jetësore dhe pse lejoi një goditje të tillë çmimesh.

“Në fakt, deputetët e OBRM-PDUKM-së dhe Koalicionit kanë dorëzuar ligjin për ndryshimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe projektligjin për ndryshimin e Ligjit për akciza, me të cilin do të përgjysmohet akciza për derivatet dhe do të tatimohet me masën 5% në vend të 18% sa është aktualisht dhe ushqimet do të përjashtohen nga TVSH-ja deri në fund të vitit 2022. Por qeveria ka disa ditë që po ikën nga kryerja e këtyre ndryshimeve, të cilat do të mbrojnë standardin dhe buxhetin familjar të qytetarëve”, thuhet në deklaratë.

Deklaratat e fajësimit të qeverisë kanë qene të përditshme nga partia opozitare OBRM-PDUKM.

Teksa partia e Mickoskit akuzon atë të Kovaçevskit, nga partia e këtij të fundit, liderin e OBRM-PDUKM-së e kanë quajtur politikan i cili aktron patriotin dhe nuk voton ligjet për të mirën e qytetarëve, duke i quajtur dhe reagimit e tija si falso.