Telegrafi

OBRM-PDUKM kërkon zhbllokimin e pronave partiake: Partia nuk është e akuzuar

Sekretari i përgjithshëm i OBRM-PDUKM-së Igor Janushev, sot në konferencë për shtyp kërkoi që të shfuqizohet masa për ngrirjen e pronave të partisë, pasi siç tha, po i bëhet dëm i madh partisë së tyre.

Janushev tha se kërkesa e PSP-së dhe vendimet e gjykatësve janë të pabaza, të paargumentuara dhe të movituara politikisht. Ai tha se me këtë është shkelur praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“OBRM-PDUKM si subjekt juridik nuk është e dyshuar në procedurë dhe shihet se bëhet fjalë për përndjekje. Po i shkaktohet dëm partisë. Do të informojmë të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe do të kërkojmë përgjegjësi personale dhe politike”, tha Janushev.

Ai akuzoi qeverinë se “pasi nuk kanë mundur përmes kërcënimeve dhe presioneve ta thyejnë partinë, tani po mundohen me presion përmes institucioneve tjera”./Telegrafi/