Site icon Telegrafi

OBRM-PDUKM kërkon zgjedhje të parakohshme kuvendare

Nëpërmjet një njoftimi të partisë opozitare maqedonase thuhet se “nëse Zaev me të vërtetë dëshiron ta dëgjojë zërin e popullit, të mos ikë nga qytetarët dhe të caktoj zgjedhje për të parë se çfarë mendojnë ata për qeverisjen e tij dyvjeçare”.

“Opinioni në Maqedoni tashmë disa javë pret që LSDM ta thotë qëndrimin e vet për zgjedhjet e parakohshme kuvendare. Publiku tashmë një periudhë të gjatë pret që Zoran Zaevi të inkurajohet dhe të sjell vendim përfundimtar nëse është i gatshëm të shkoj në zgjedhje për t’u ballafaquar me mllefin e qytetarëve, mllef i mbledhur këtu dy vite e gjysmë qeverisje nga ana e LSDM-së”, thonë nga OBRM-PDUKM, njofton Telegrafi Maqedoni.

Për dy vite e gjysmë, thonë nga OBRM-PDUKM, ky pushtet kriminal e udhëhequr nga i amnistuari Zaev shtetit të Maqedonisë i dha disfata në secilën fushë, e nënçmoi dhe degradoi popullin maqedonas dhe se pushteti hoqi dorë nga gjithçka që është maqedonase, nga gjuha maqedonase, kultura, identiteti, historia por edhe e ardhmja.

Sipas OBRM-PDUKM-së standardi i qytetarëve është në rënie të vazhdueshme ndërsa mbi 80% e të rinjve pa mendime do ta lëshonin Maqedoninë.

“LSDM ndau shoqërinë si asnjëherë më parë, në linjë etnike dhe partiake. Me ligjin për dygjuhësi, u përpoq të blejë vota, po nuk ia dolën. Maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, serbët, Boshnjakët tani e kërkojnë jetën që u premtonit, pagën mesatare prej 500 eurove dhe kthimin e të rinjve”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Në fund ata shtojnë se u humbën premtimet e LSDM-së ndërsa Zoran Zaevi s’është askund për ta thënë qëndrimin e tij për zgjedhjet e parakohshme kuvendare për shkak se, siç thonë nga OBRM-PDUKM, frikësohet nga mllefi i qytetarëve dhe popullit maqedonas./Telegrafi/

Exit mobile version