Telegrafi

OBRM-PDUKM kërkon zgjedhje për të mundësuar hetim të pandërprerë të ngjarjeve në Onkologji

Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, e ka kritikuar sërish qeverinë për ngjarjet në Klinikën e Onkologjisë. Nga kjo parti thonë se “përkundër ekzistimit të një sistemi të përshtatshëm për trajtimin e pacientëve me kancer, Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së lejoi që njerëzit të vdisnin”.

Nga OBRM-PDUKM thonë se me skandalin e Onkologjisë janë shkelur më brutalisht të drejtat e njeriut.

“Abuzimi me citostatikët dhe terapinë në Klinikën e Onkologjisë është një krim me pasoja vdekjeprurëse. Abuzimi është një komplot kriminal për të vjedhur ilaç nga pacientët me kancer për t’i shitur në treg të zi. Aktivitete të tilla janë pothuajse të pamundura pa mbështetje politike. E gjithë kjo po ndodh në një situatë ku Klinika Onkologjike që nga viti 2017 ka sistem KATO për kontrollin e terapive për pacientët”.

“I njëjti sistem është mbyllur me ardhjen në pushtet të LSDM-së dhe BDI-së dhe emërimin e Arben Taravarit si ministër i Shëndetësisë. Dhe në vend të përgjigjes nga Taravari, heshtje për atë që ka ndodhur me sistemin. Ministri aktual Fatmir Mexhiti me një shpjegim të tipit “sistemi nuk është në bodrum, por i mbyllur në dhomë”!”.

“Pavarësisht se shumë kohë më parë, apo edhe dy vite më parë, kishte paralajmërim për zhvillime të tilla në Onkologjia, një shoqatë kriminale ende ekziston dhe drejton Klinikën e Onkologjisë. Paralajmërime nga shumë anë, ankesa nga pacientët, dokumente me një sërë parregullsish për punën e Onkologjisë nga Kontrolli i Shtetit dhe pa rezultat”, thonë nga OBRM-PDUKM.