Telegrafi

OBRM-PDUKM kërkon të hetohet puna e PSP-së, që nga themelimi deri te shkarkimi i Janevës

Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, kërkon që të formohet komision anketues dhjetë anëtarësh, i cili do ta hetojë të gjithë punën e PSP-së që nga periudha e themelimit, deri tek shkarkimi i Katica Janevës.

OBRM-PDUKM kërkon që komisioni anketues të analizojë nëse ka pasur shkelje të ligjit dhe keqpërdorim të punës në PSP, përcjell Telegrafi Maqedoni nga A1on.

Sipas tekstit të propozuar, komisioni duhet të hetojë punën materialo-financiare, mënyrën e punësimit në këtë institucion dhe ekzistimin e nepotizmit, por edhe ligjshmërinë e procedurave të kësaj prokurorie.

Komisioni do të jepte rekomandime dhe udhëzime për parandalimin e veprimit të jashtëligjshëm të prokurorëve të PSP-së.

Kryetari dhe nënkryetari komisionit, sipas propozimit të OBRM-PDUKM-së, do të zgjidhej në Kuvend me propozim të Komisionit për Çështje Zgjedhore dhe Emërime, nga radhët e OBRM-PDUKM-së./Telegrafi/