Qeveria e Zaevit po e shtyn Maqedoninë drejt një humnere ekonomike. Për pesë muaj, kemi njënumër të ri, gati 40 mijë njerëz të papunë, akuzoi OBRM-PDUKM-ja, duke akuzuar Qeverinë se me ditë të tëra po heshtë në lidhje me rënien e Eurostandard Bankës, një aferë me vlerë 200 milionë euro, sepse, siç thuhet në komunikatë, kompanitë nga Strumica të afërta me Zaevin, janë të përfshira drejtpërdrejt në TAT-in e ri.
“Kur bankës iu bë revizion dhe hipotekat u aktivizuan, ato kompani me vetëdijë shkuan në falimentim, gjë që krijon një krizë të madhe në bankë. Është e qartë se jo vetëm ministrja Nina Angelovska, por edhe këto kompani i tërhoqën paratë nga banka para kohe ose bënë marrëveshje të cilat rrezikojnë funksionimin e bankës. Për shkak të sjelljes së këtillë të njerëzve nga pushteti dhe ndërmarrjeve të afërta me ta, sot kemi 100 mijë llogari të bllokuara, njëzet mijë pensione të papaguara dhe qindra të rinj të papunë”, thuhet në komunikatë.
Por, shtojnë nga OBRM-PDUKM, ky nuk është treguesi i vetëm i keq i politikave ekonomike të qeverisë.
“Në vetëm tre muaj, shteti ka hyrë borxh një miliardë euro. Në 5 muaj kemi gati 40 mijë njerëz të rinj të papunë. Në periudhën janar-korrik kemi një ulje të të ardhurave me 8% krahasuar me vitin e kaluar. Janë shpenzuar deficiti buxhetor prej 520 milionë eurosh, ndërsa realizimi i investimeve kapitale është jashtëzakonisht i ulët, gjë që tregon se paratë janë harxhuar për shpenzime joproduktive dhe ryshfet elektoral. Ekspertët thonë se përkundër këtij huazimi galopant, shteti nuk do të ketë fonde të mjaftueshme për të shërbyer detyrimet themelore deri në fund të vitit. Rritja e çmimeve të energjisë elektrike me 7.5% dhe taksat më të larta të karburantit kanë për qëllim të mbulojnë funksionimin jo kompetent dhe të papërgjegjshëm të Qeverisë, por për fat të keq ato do të shkaktojnë lëvizje inflacioniste që do të përkeqësojnë më tej situatën”, thuhet në komunikatë.
E gjithë kjo, thonë nga OBRM-PDUKM, është dëshmi se qeveria kriminale e Zaevit është e angazhuar për pasurimin e tij personal dhe organizimin maksimal të krimit, ndërsa ekonomia po fundoset dhe standardi i popullit është në rënie të lirë.