Telegrafi

OBRM-PDUKM-ja kërkon urgjentisht takim liderësh për çështjen e emrit

Partia opozitare maqedonse OBRM-PDUKM-ja kërkon urgjentisht takim liderësht, në të cilin kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në prani të presidentit Gjorge Ivanov, do të tregojnë detajet dhe zhvillimet në procesin e negociatave për emrin.

Siç tha në konferencë për shtyp sekretari i përgjithshëm i OBRM-PDUKM-së, Igor Janushev, për shkak të kësaj kryetari i tyre Hristijan Mickoski ka ndërprerë vizitën e punës në Itali dhe takimet me diasporën e Maqedonisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Mickoski është rrugës për Maqedoni. Duhen vendime, kërkojmë urgjentisht takim liderësh, i cili do të mbahet që ditën e nesërme”, tha Janushev.

Ai theksoi se Zoran Zaevi, edhe pse është kryeministër nuk e ka monopolin të vendos për çështje të rëndësishme, ndërsa për marrëveshjen eventuale duhet të konsultohen të gjithë./Telegrafi/