Telegrafi

OBRM-PDUKM-ja javën e ardhshme do të deklarohet për referendumin

Gjatë javës së ardhshme OBRM-PDUKM-ja do të tregojë nëse do të merr pjesë në referendum ose jo. Këtë sot e kumtuan nga partia opozitare, pas takimit të kryetarit të tyre Hristijan Mickoski me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Nga OBRM-PDUKM në njoftim për media thonë se Mickoski në takim me Stoltenbergin ka theksuar se ata mbështesin integrimin e vendit në NATO, por marrëveshja me Greqinë për ta është jashtë parimeve dhe nuk do ta pranojnë të njëjtën, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Qeveria duhet të angazhohet për përmirësimin e fushave reale për jetë, të cilat janë të rëndësishme për qytetarët”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Përndryshe, sekretari i NATO-s gjatë ditës së sotme përveç me Mickoskin, takime ka realizuar edhe me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, përfaqësuesit e grupeve të deputetëve në Kuvend dhe kryetarin e Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov./Telegrafi/