Telegrafi

OBRM-PDUKM-ja dorëzon iniciativën në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë së Zaevit

OBRM-PDUKM-ja ka dorëzuar në Kuvend mocionin për votëbesimin e Qeverisë. Nga partia opozitare maqedonase e konfirmojnë këtë duke deklaruar se nuk janë ftuar mediat, për shkak të festave.

Ndërsa kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se pret që të mërkurën të diskutohet në Kuvend për interpelancën dhe deputetët ta votojnë të njëjtën, njofton Telegrafi Maqedoni.

Pas dorëzimit të iniciativës për interpelancë, sipas rregullores së Kuvendit ajo do të duhet të mbahet ditën e mërkurë.

Iniciativa për mocionin e besimit të Qeverisë, sipas Rregullores së Kuvendit duhet të futet në rend dite në ditën e tretë pas ditës së dorëzimit. Deputetët që kanë parashtruar mocionin, ka të drejtë fjale më shumë se një herë, ndërsa radhitja e tyre për fjalë bëhet në bazë të koordinimit me kreun e Kuvendit.

Seanca për mocionin e besimit duhet të mbarojë deri në mesnatë, ndërsa votimi i saj duhet të bëhet ditën e nesërme. Mosbesimi duhet të votohet me shumicë të thjeshtë prej 61 deputetëve. OBRM-PDUKM-ja aktualisht ka nën 50 mandate deputetësh, si pasojë e ikjes së Çedomir Sazdovskit dhe Amdi Bajram nga koalicioni opozitar.